Sulm kibernetik ndaj aeroporteve evropiane, Vonesa dhe anulime në Londër, Bruksel dhe Berlin
Londra, Berlini dhe Brukseli janë ndër aeroportet që po përballen me probleme për shkak të një sulmi të mundshëm kibernetik.
Një defekt teknik, që i atribuohet një sulmi informatik ndaj Collins Aerospace – një furnizues i shërbimeve për sistemet e check-in-it dhe imbarkimit për disa kompani ajrore – ka ndërprerë ose ngadalësuar operacionet në disa nga aeroportet më të rëndësishme evropiane, përfshirë Brukselin, Berlin-Brandenburgun dhe Heathrow në Londër. Janë raportuar vonesa dhe anulime fluturimesh.
Sipas një njoftimi nga zyra e shtypit e aeroportit të Brukselit, sulmi i dyshuar ka bërë që sistemet e automatizuara të bëhen të papërdorshme, duke lejuar vetëm procedurat manuale për check-in dhe imbarkim. "Kjo do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në orarin e fluturimeve dhe për fat të keq do të shkaktojë vonesa dhe anulime", thuhet në faqen zyrtare të aeroportit. "Vetë aeroporti nuk ka qenë objektivi i sulmit kibernetik, por është prekur indirekt", ka sqaruar aeroporti i Berlinit.
Në një deklaratë të shpërndarë nga Heathrow, sqarohet se Collins Aerospace "ofron sisteme për check-in dhe imbarkim për shumë kompani ajrore në shumë aeroporte në mbarë botën". "Ndërsa furnizuesi po punon për ta zgjidhur problemin sa më shpejt, këshillojmë pasagjerët që të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompaninë e tyre ajrore përpara nisjes", thuhet më tej në deklaratë. /Shqiptarja